Katër turistë polakë janë shpëtuar pas një operacioni të vështirë kërkim-shpëtimi që zgjati rreth 8 orë në Kanionet e Gjipesë, në Himarë, pasi ranë në një greminë gjatë eksplorimit të zonës. Njëri prej tyre mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë, alarmi u dha mesditën e së dielës, duke mobilizuar menjëherë shërbimet e Policisë së Himarës, DELTA Forcën, Policinë e Vlorës, zjarrfikësit, alpinistët, ekipin mjekësor dhe një helikopter të Forcave të Armatosura.
Për shkak të terrenit tepër të thepisur, helikopteri nuk mundi të ndërhynte në vendin ku ndodheshin turistët, ndërsa operacioni vijoi nga toka. Pas disa orësh kërkime dhe ndërhyrjeje intensive, katër turistët u evakuan dy nga dy, ndërsa operacioni përfundoi me sukses rreth mesnatës.
Turisti i plagosur mori ndihmën e parë nga ekipi mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre të tjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore.


