Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të diel në qendër të Tiranës për të vijuar protestën e tyre, e cila ka hyrë në ditën e 29-të radhazi. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, grumbullimi nisi në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj, ndërsa përsëritën kërkesat e tyre kryesore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, si edhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.
Gjatë tubimit, një nga organizatorët, Arben Kola, u bëri thirrje protestuesve të shmangin çdo provokim dhe të ruajnë karakterin paqësor të protestës. Ai paralajmëroi për praninë e personave që, sipas tij, synojnë të nxisin tensione, ndërsa kërkoi që të mos përdoren bilbilat për të mos shqetësuar familjet dhe fëmijët e pranishëm.
Nga podiumi nuk munguan edhe mesazhet drejtuar Kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklaruan se lëvizja qytetare do të vazhdojë dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke theksuar se mbeten të bashkuar pavarësisht zhvillimeve të fundit.


