foto ilustruese
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër, ku një i paraburgosur ka humbur jetën pas një përkeqësimi të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore.
Sipas informacionit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet Ç. J., 61 vjeç, i cili ndodhej në të njëjtën dhomë me të birin. Pasi shfaqi probleme serioze shëndetësore, personeli mjekësor i institucionit ndërhyri menjëherë duke i dhënë ndihmën e parë.
Për shkak të rëndimit të gjendjes, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe procedurave të reanimimit kardiorespirator, mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën dhe konfirmuan vdekjen e tij.
Pas ngjarjes janë njoftuar organet kompetente, të cilat kanë nisur veprimet procedurale për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të sqaruar shkaqet e vdekjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të ndjerit, ndërsa ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


