foto ilustruese
Ngjarje e cila është regjistruar gjatë orëve të natës në Elbasan, ku dy automjete janë përfshirë nga flakët, duke pësuar dëme të mëdha materiale.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka dëmtuar rëndë pjesën e përparme të një automjeti tip “Audi”, ndërsa një automjet tjetër tip “Volkswagen” është shkrumbuar plotësisht. Të dy mjetet rezultojnë në pronësi të shtetasit Egli Hazisllari.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Grupi hetimor ka nisur menjëherë punën për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
Hetimet janë fokusuar në disa pista, duke përfshirë mundësinë e një defekti teknik, një zjarri aksidental apo një zjarrvënieje të qëllimshme. Në kuadër të verifikimeve, autoritetet po analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave pranë vendit ku ndodhi ngjarja.


