Një operacion i koordinuar shpëtimi u zhvillua këtë të shtunë në Kanionet e Gjipesë, ku dy turistë mbetën të bllokuar pasi njëri prej tyre u dëmtua gjatë ecjes në terrenin e vështirë.
Sipas informacioneve, turisti pësoi frakturë në këmbë, duke e pasur të pamundur të vijonte lëvizjen. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në zonë ndërhynë shërbimet e emergjencës, të cilat organizuan operacionin për nxjerrjen e tyre nga kanioni.
I dëmtuari u transportua me barrelë përgjatë terrenit të vështirë deri në një zonë të sigurt, ku më pas u dërgua drejt Spitalit të Himarës për të marrë trajtim mjekësor. Ndërkohë, turisti tjetër u shoqërua në siguri pa probleme shëndetësore.
Në operacion morën pjesë efektivët e Policisë së Himarës, Policia Kufitare e Dhërmiut, forcat zjarrfikëse dhe ekipi i Urgjencës së Spitalit të Himarës, të cilët bashkëpunuan për të përfunduar me sukses ndërhyrjen.
Kanionet e Gjipesë janë një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë sezonit veror, por autoritetet u bëjnë thirrje vizitorëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë eksplorimit të zonës, për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësive që paraqet.


