Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe këtë të shtunë, duke shënuar ditën e 28-të radhazi të mobilizimit në Tiranë. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku përsëritën kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në tubim ishte e pranishme edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila mbajti një fjalim para protestuesve. Ajo deklaroi se Europa nuk përfaqësohet vetëm nga institucionet në Bruksel, por edhe nga qytetarët që ngrihen për të mbrojtur të drejtat dhe të ardhmen e tyre.
Salis u shpreh se Shqipëria nuk duhet të jetë objekt i interesave të ngushta ekonomike apo oligarkike, duke theksuar se pasuritë natyrore dhe trashëgimia e vendit duhet të mbrohen. Sipas saj, protesta në Tiranë përfaqëson një shembull të angazhimit qytetar dhe të mbrojtjes së interesit publik.
Edhe gjatë kësaj mbrëmjeje, protestuesit mbajtën pankarta dhe flamuj, ndërsa dëgjoheshin thirrje kundër qeverisë dhe në mbështetje të kërkesave të artikuluara prej javësh. Në protestë u vu re gjithashtu prania e qytetarëve të ardhur nga diaspora, si dhe e familjeve me fëmijë.


