Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ka tronditur radhët e Policisë së Shtetit. Ish-drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Gentian Berberi, është përjashtuar nga Policia e Shtetit pas një vendimi të marrë nga strukturat e Standardeve Profesionale.
Mësohet se ndaj Berberit është marrë masa më e rëndë disiplinore, pas një incidenti të ndodhur pak ditë më parë, ku ai dyshohet se ka kanosur dhe ofenduar drejtoreshën e Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur brenda zyrës së drejtoreshës, ku Berberi ka përdorur fjalor fyes dhe kërcënues. Pas episodit, zyrtarja ka bërë kallëzim të menjëhershëm pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka nisur procedurat përkatëse.
Vetëm pak ditë më parë, Berberi ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe ishte transferuar në detyrën e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit.
Përveç përjashtimit nga radhët e Policisë së Shtetit, ndaj tij është depozituar edhe kallëzim për veprën e kanosjes, ndërsa pritet që organet kompetente të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


