foto ilusturuese
Policia e Tiranës ka zbardhur brenda pak orësh ngjarjen e ndodhur në Kamëz, ku një servis celularësh u sulmua me armë zjarri. Në pranga ka rënë një 18-vjeçar, i dyshuar si autor i të shtënave.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit mes të riut dhe pronarit të servisit. Pas debatit, 18-vjeçari dyshohet se është rikthyer i armatosur dhe ka qëlluar dy herë me kallashnikov në drejtim të biznesit.
Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmet u kufizuan në fasadën dhe ambientet e brendshme të servisit.
Pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan një operacion për kapjen e autorit. I riu u lokalizua dhe u arrestua rreth tre kilometra larg vendit të ngjarjes.
Gjatë kontrolleve, efektivët sekuestruan armën automatike që dyshohet se u përdor në sulm, si dhe municion luftarak. Ndaj 18-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale përkatëse, ndërsa dosja i ka kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.


