foto ilustruese
Një konflikt me motive familjare ka përfunduar me një ngjarje të rëndë në Lezhë, ku një 28-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet.
Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen “Skënderbeg”. Sipas hetimeve paraprake, i riu kishte shkuar për të marrë bashkëjetuesen, por situata u përshkallëzua pasi në vendngjarje dolën edhe familjarët e saj. Në kulmin e konfliktit, ai dyshohet se përplasi me makinë 43-vjeçaren, duke i shkaktuar plagë, dhe më pas u largua.
Policia organizoi menjëherë operacionin e koduar “Reagimi”, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Gjatë veprimeve hetimore u sekuestrua edhe automjeti i përdorur në ngjarje.
E dëmtuara u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.


