Kompania MABCO pritet të rikthehet këtë të premte në kantierin e Aeroportit të Vlorës, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare.
Së bashku me nënkontraktorët e saj, përfaqësuesit e kompanisë do të vijojnë punimet në një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit, duke i hapur rrugë rikthimit të MABCO në drejtimin e projektit.
Konflikti mes MABCO dhe 2A Group kishte sjellë bllokim të administrimit të shoqërisë koncesionare dhe vonesa në ecurinë e punimeve. Tashmë mbetet për t’u parë nëse rikthimi i kompanisë do të normalizojë situatën dhe do të përshpejtojë realizimin e Aeroportit të Vlorës.


