Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Tre Heronjtë”, ku pas një konflikti me armë zjarri janë arrestuar dy persona, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim për moskallëzim krimi.
Sipas hetimeve paraprake, dy fqinjët, N.L., 63 vjeç dhe A.F., 27 vjeç, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri për të kanosur njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e një banese dhe një automjet i parkuar në oborr, fatmirësisht pa persona të lënduar.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, uniformat blu sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse, tritol. Ndërkohë, një 26-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ishte i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e kallëzoi ngjarjen.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


