Një dëshmi e pazakontë nga një pilot amerikan i avionit luftarak F-15 ka ndezur debat të fortë brenda komunitetit të inteligjencës amerikane, pas rrëzimit të avionit të tij mbi territorin iranian gjatë konfliktit të muajit prill.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, piloti, i cili u shpëtua nga forcat speciale pas katapultimit, ka deklaruar se pak çaste para rrëzimit pa në qiell një grup dronësh iranianë që lëviznin në formacion të koordinuar dhe që i ngjanin një “kandili deti”.
Ai ka përshkruar disa dronë më të mëdhenj të lidhur mes tyre, ndërsa poshtë tyre lëviznin njësi më të vogla që dukeshin si “tentakula”. Dëshmia ka ngritur dyshime se Irani mund të ketë testuar një teknologji të avancuar të koordinimit të dronëve, e njohur si “one-to-many meshed networking”.
Ekspertët amerikanë po analizojnë nëse ajo që pa piloti ishte një aftësi reale ushtarake e zhvilluar nga Irani apo një perceptim i ndikuar nga kushtet ekstreme të momentit. Sipas raportimeve, piloti kishte pësuar tronditje cerebrale gjatë incidentit, gjë që ka shtuar debatet mbi saktësinë e dëshmisë së tij.
Megjithatë, fakti që një avion luftarak amerikan u rrëzua mbi Iran ka rritur shqetësimet në Uashington për nivelin e avancimit të teknologjisë ushtarake iraniane, veçanërisht në fushën e dronëve.
Burime të inteligjencës amerikane kanë ngritur gjithashtu dyshime se Irani mund të ketë përfituar mbështetje teknologjike nga Rusia dhe Kina për zhvillimin e sistemeve të reja të operimit të dronëve.


