Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karakavec të Përrenjasit, ku një 69-vjeçar dyshohet se i ka vënë flakën bashkëshortes së tij pas një konflikti të ndodhur në familje.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar, Gani Danga, ka spërkatur me benzinë bashkëshorten e tij 67-vjeçare dhe më pas i ka vënë zjarrin. Menjëherë pas ngjarjes, familjarë dhe banorë të zonës kanë kërkuar ndihmë, ndërsa e dëmtuara është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, 67-vjeçarja u dërgua drejt repartit të djegieve në Tiranë për trajtim më të specializuar. Burime spitalore bëjnë me dije se, pavarësisht plagëve të marra, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para rezulton se gruaja kishte qenë viktimë e dhunës në familje edhe më herët dhe prej tre muajsh ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj bashkëshortit.
Policia ka ndërhyrë pas ngjarjes duke vënë në pranga 69-vjeçarin, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur banorët e zonës.


