Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e kësaj të marte në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Mifol, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip fuoristradë dhe një automjet i vogël, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të dëmtuarit kanë pësuar lëndime të ndryshme, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët siguruan zonën dhe nisën veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, po merren në pyetje edhe personat që ndodheshin në automjete dhe që nuk kanë pësuar lëndime. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen e dy mjeteve.


