Humb jetën një motorist në aksin Fushë-Krujë–Laç, shoferi i automjetit shoqërohet në polici
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar në aksin e vjetër rrugor Fushë-Krujë–Laç, pranë fshatit Derven.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Gjin Kola, i cili po udhëtonte me motoçikletë kur është përfshirë në një përplasje me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e goditjes së fortë, motoristi ka humbur jetën në vendngjarje.
Disa minuta pas ngjarjes, në zonë kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi Luljan Vena, 24 vjeç, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës për veprime të mëtejshme procedurale.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e aksidentit fatal.


