Dhjetëra banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit, pronarë tokash në zonën e Kakomesë, si dhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme, u mblodhën këtë të diel në një protestë në Gjirin e Kakomesë, ku shembën rrethimin që, sipas tyre, prej më shumë se dy dekadash kufizonte hyrjen në zonë.
Protestuesit deklaruan se rrethimi u kishte pamundësuar aksesin në pronat e tyre dhe kishte kufizuar frekuentimin e plazhit nga qytetarët dhe turistët. Ata e cilësuan protestën si një kauzë në mbrojtje të të drejtave të pronësisë dhe të aksesit të lirë në zonën bregdetare.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit theksuan se synimi i tyre është rikthimi i aksesit në tokat që pretendojnë si pronë të tyre, ndërsa kundërshtuan atë që e konsiderojnë zaptim të padrejtë të territorit.
“Jemi këtu për të hequr çdo pengesë që na ka ndaluar të shkojmë në tokat tona”, u shprehën disa prej protestuesve, duke shtuar se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim.
Banorët deklaruan se shembja e rrethimit përfaqëson një moment të rëndësishëm për komunitetin lokal dhe paralajmëruan se do të mbështesin çdo nismë që lidhet me mbrojtjen e pronave dhe interesave të zonës.


