Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 persona pas protestës qytetare të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të tubimit rreth orës 22:00, një grup protestuesish kanë vijuar të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke zënë një pjesë të hapësirës publike me karrige metalike dhe sende të tjera.
Autoritetet bëjnë me dije se efektivët e policisë u kanë kërkuar disa herë personave të largohen dhe të lirojnë zonën, por sipas policisë ata kanë refuzuar t’u binden urdhrave të dhënë.
Në kuadër të veprimeve procedurale janë identifikuar dhe proceduar nëntë shtetas, ndërsa policia ka njoftuar se hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë që mund të kenë kryer shkelje gjatë zhvillimit të protestës.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.


