Një deklaratë e pazakontë është publikuar nga administratori i Njësisë Administrative Orikum, Drini Harizaj, i cili ka zgjedhur të kërkojë falje publike pasi është filmuar duke konsumuar cigare brenda ambienteve të institucionit.
Në reagimin e tij, Harizaj pranon se ka ndezur një cigare në zyrë gjatë një situate të tensionuar të krijuar nga transferimi i dokumentacionit të Gjendjes Civile. Ai e konsideron veprimin të gabuar, pranon se ka shkelur rregullat dhe kërkon ndjesë ndaj qytetarëve, kolegëve dhe institucionit që përfaqëson.

Megjithatë, ajo që ka tërhequr vëmendjen nuk është vetëm cigaria e ndezur, por edhe forma e reagimit. Në vend të një sqarimi të thjeshtë, admimistratori ka publikuar një deklaratë të gjatë reflektuese, ku analizon sjelljen e tij, pranon përgjegjësinë dhe premton se raste të tilla nuk do të përsëriten më.
Postimi vjen në një moment kur në Orikum po zhvillohet një debat mbi transferimin e shërbimeve të Gjendjes Civile dhe tensionet e krijuara rreth këtij procesi. Pikërisht në këtë klimë, një cigare e ndezur në zyrë është kthyer në një nga episodet më të komentuara të ditës.

Ndërsa administratori kërkon falje për shkeljen e bërë, shumë qytetarë pyesin nëse problemi kryesor i kësaj historie është vërtet cigaria, apo tensionet dhe përplasjet institucionale që kanë shoqëruar procesin e transferimit të Gjendjes Civile në Orikum.
Në çdo rast, reagimi i publikuar nga Harizaj mbetet një nga rastet e rralla kur një drejtues vendor zgjedh të bëjë një ndjesë publike kaq të detajuar për një veprim që, sipas tij, nuk duhej të kishte ndodhur.


