Një situatë e tensionuar është raportuar ditën e sotme në zyrën e Gjendjes Civile në Orikum, ku sipas denoncimit të mbërritur në media, punonjësja përgjegjëse e këtij institucioni është përballur me presion nga Bashkia dhe Policia Bashkiake.
Sipas pretendimeve, efektivë të Policisë Bashkiake dhe punjonës të administratës, janë paraqitur në ambientet e zyrës me qëllim boshatisjen e saj dhe marrjen e dokumentacionit, pa i paraqitur punonjëses asnjë procesverbal apo dokument zyrtar që justifikon veprimin në mënyrë ligjore.
Burime bëjnë me dije se lëvizja lidhet me planin për mbylljen e zyrës së Gjendjes Civile në Orikum dhe transferimin e shërbimit në Vlorë, si edhe me zëvendësimin e përgjegjëses aktuale.
Nga ana e saj, përgjegjësja e zyrës ka refuzuar të dorëzojë kompjuterin dhe dosjet zyrtare, duke argumentuar se ato ndodhen nën përgjegjësinë e saj administrative dhe nuk mund të dorëzohen pa procedurat ligjore përkatëse.
Sipas denoncimit, përplasja mes palëve nuk është e re. Më herët, Bashkia i kishte kërkuar punonjëses të pranonte uljen në detyrë nga përgjegjëse në specialiste, një veprim që synonte largimin dhe zëvendësimin e saj.
Ngjarja e sotme ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura dhe mënyrën se si po trajtohet një punonjëse e administratës publike. Denoncuesit pretendojnë se ajo është përballur me presion, kërcënime verbale dhe veprime që i konsiderojnë në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu,në video shihet dhe drejtuesi i njësisë administrative Orikum i cili është futur në ambientet e institucionit shtetëror me cigare të ndezur, një veprim që konsiderohet i papërshtatshëm për zyrat publike.
Theksojmë se ky artikull bazohet në pretendimet e denoncueses dhe deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia apo institucionet e përfshira. Nëse ka një version tjetër të ngjarjes, redaksia mbetet e hapur për ta publikuar.


