Një megaoperacion i Policisë së Shtetit ka zbuluar atë që dyshohet të jetë një skemë e mirëorganizuar për grabitjen e pronave në Dibër.
Operacioni i koduar “Tjetërsimi” ka çuar në masa sigurie për 14 persona, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, i cili aktualisht mban postin e zëvendësdrejtorit.
Sipas hetimeve që kanë zgjatur 7 muaj, punonjës dhe ish-punonjës të Kadastrës, në bashkëpunim me një notere dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente zyrtare dhe kanë manipuluar procedurat për të kaluar prona në mënyrë të paligjshme në favor të një familjeje.
Gjykata e Dibrës ka vendosur “Arrest në burg” për dy persona të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa disa zyrtarë të Kadastrës janë lënë në “Arrest shtëpie” ose janë detyruar të paraqiten periodikisht pranë Policisë Gjyqësore.
Në qendër të skemës, sipas hetimeve paraprake, qëndron shtetasi me iniciale T.D., i cili bashkë me familjarët e tij dyshohet se ka përfituar prona përmes dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave të manipuluara.
Policia njofton se operacioni vijon dhe po punohet për kapjen e personave në kërkim, si dhe për identifikimin e të tjerëve që mund të jenë përfshirë në këtë aferë të dyshuar me pronat.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Dibrës.
A është ky artikull etik? Nëse jo,
Na kontaktoni


