Banorët e Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit denoncojnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në zonat e tyre, duke pretenduar se këto situata nuk janë rastësore, por të qëllimshme.
Sipas tyre, ndërprerjet e dritave po ndodhin në mënyrë të përsëritur dhe në orare të ndryshme të ditës, duke krijuar vështirësi në jetën e përditshme, bizneset lokale dhe shërbimet bazë. Ata shprehen të shqetësuar se këto ndërprerje mund të lidhen me furnizimin me energji të lartë të kantierëve të ndërtimit që operojnë në zonë.
Banorët pretendojnë se prioriteti i furnizimit po zhvendoset drejt projekteve të ndërtimit, ndërsa zonat e banuara mbeten pa energji për orë të tëra. Sipas tyre, kjo situatë po përsëritet prej kohësh pa një shpjegim zyrtar të qartë nga institucionet përgjegjëse.
Banorët kërkojnë transparencë dhe zgjidhje të menjëhershme të problemit pasi energjia elektrike mungon pothuajse çdo ditë.


