Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së premtes fshatin Kamenicë, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, ku një aksident rrugor i ka marrë jetën një fëmije vetëm 3 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Nissan”, i drejtuar nga një 76-vjeçar, ka përplasur dy këmbësorë, një grua dhe djalin e saj të mitur, teksa ata ndodheshin pranë rrugës.
Menjëherë pas aksidentit, të dy të lënduarit u transportuan drejt Spitalit Rajonal të Korçës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 3-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë, ndërsa nëna e tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e plota të aksidentit.


