
Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin e një call center-i të dyshuar për aktivitet mashtrues, që ushtronte veprimtarinë në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Gjatë aksionit, katër persona të identifikuar si drejtues dhe organizatorë të strukturës janë arrestuar, ndërsa 49 punonjës janë proceduar penalisht dhe po hetohen për rolin e tyre në këtë veprimtari.
Sipas autoriteteve, ambienti ishte përshtatur me dhjetëra poste pune, ku dyshohet se realizoheshin skema mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike. Në kontrollin e ushtruar nga hetuesit janë sekuestruar 107 pajisje elektronike, mes tyre 94 kompjuterë, 11 telefona celularë dhe 2 iPad, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Operacioni, i koduar “Hold On”, u zhvillua nga strukturat e hetimit të krimeve ekonomiko-financiare dhe ato kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Hetimet vijojnë për të zbuluar shtrirjen e aktivitetit të dyshuar, si dhe numrin e personave që mund të jenë dëmtuar nga kjo skemë mashtrimi.


