Një tjetër problematikë infrastrukturore është evidentuar në jug të vendit, ku segmenti rrugor që lidh fshatin Kuç me zonën bregdetare të Qeparosë, është dëmtuar rëndë.
Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks, rruga është çarë në disa pjesë, janë krijuar gropa të thella dhe në disa segmente ka rrëshqitje dheu që e bëjnë kalimin të rrezikshëm. Situata është përkeqësuar pas reshjeve të fundit, duke vënë në vështirësi jo vetëm banorët e zonës, por edhe turistët që frekuentojnë bregdetin gjatë fundjavave.
Ky segment rrugor ka rëndësi të veçantë pasi lidh zonat me vijën bregdetare dhe përdoret për transport bujqësor, shërbime dhe lëvizje të përditshme. Banorët shprehen se mungesa e ndërhyrjes së shpejtë mund të çojë në bllokim total të qarkullimit, sidomos nëse vazhdojnë reshjet.
Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për riparimin e dëmtimeve, sistemimin e kanalizimeve anësore dhe forcimin e trupit të rrugës, për të shmangur rrezikun e aksidenteve dhe izolimin e zonës.
Situata mbetet shqetësuese dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm lokal.


