Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike, ndërsa gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave 7 mbeten aktive në disa zona të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat aktive janë evidentuar në Riban dhe Ngraçan në bashkinë Mallakastër, në Dajt, Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës në qarkun e Elbasanit, si dhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.
Situata më problematike paraqitet në Mallakastër, ku zjarret në Riban dhe Ngraçan kanë marrë përmasa dhe forcat në terren po punojnë për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, edhe në Dajt vijon ndërhyrja për izolimin e flakëve, ku janë angazhuar forca të MZSH-së, Administratës së Zonave të Mbrojtura, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Elbasanit, ndërhyrjet vijojnë në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për banorët.
Një situatë e vështirë paraqitet edhe në Gjirokastër, ku zjarri në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës ka kaluar në majën e malit dhe ka rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur. Megjithatë, flakët nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara.

Një tjetër vatër me përmasa të mëdha është aktivizuar në shpatin e Malit të Gjerë, mbi fshatin Levenisht, në vendin e quajtur Milava. Terreni i vështirë dhe bimësia e dendur po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Në Penkovë të bashkisë Selenicë, zjarri është shuar plotësisht pasi përfshiu rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Ndërkohë, në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të Skraparit situata është vendosur nën kontroll.
Në total, për përballimin e situatës janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e territorit dhe koordinimin e operacioneve, me qëllim izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive dhe shmangien e rrezikut për zonat e banuara.


