Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në autostradën Fier–Lushnjë, pranë zonës së Kolonjës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në nënkalim.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Audi”, që po lëvizte nga Fieri në drejtim të Lushnjës, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në nënkalimin që lidh autostradën me Kolonjën.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në Spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Dyshohet se shkak i daljes nga rruga ka qenë një manovër e gabuar e drejtuesit të automjetit, ndërsa mjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet nga ekspertiza e Policisë.


