Pamje të pazakonta dhe mjaft të rralla kanë mbërritur nga Karaburuni, ku një tufë derrash të egër është filmuar teksa lëviz e lirë në habitatin e saj natyror.
Në video shihen kafshët duke kaluar të qeta në një zonë afër pyllit, larg pranisë së njerëzve, duke dëshmuar edhe një herë pasurinë e madhe faunistike që ruan Gadishulli i Karaburunit. Prania e tyre është një tregues i rëndësishëm i ekuilibrit natyror dhe biodiversitetit të kësaj zone të mbrojtur.
Pamje të tilla janë gjithnjë e më të rralla dhe për këtë arsye kërkohet më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e faunës së egër. Qytetarët bëjnë thirrje për monitorim më të shtuar të territorit, me qëllim që këto kafshë të mos bien pre e gjuetisë së paligjshme apo dëmtimeve të tjera.
Karaburuni mbetet një nga zonat më të rëndësishme natyrore në Shqipëri, ku kafshët e egra vazhdojnë të jetojnë të lira në habitatin e tyre. Ruajtja e tyre nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi ndaj trashëgimisë natyrore që duhet t’u lëmë brezave të ardhshëm.


