Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar ka humbur jetën pasi është shkëputur ashensori i restorantit ku punonte si kamarier.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e restorantit, ku kolegu i të miturit, 26-vjeçari Endri Stafuka në shaka e sipër dyshohet se e ka shtyrë me duar brenda ashensorit. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari është përplasur me kokë në pllaka dhe ka humbur jetën.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar 26-vjeçarin Endri Stafuka, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga ka rënë edhe pronari i restorantit, 62-vjeçari Afrim Vathi, i cili akuzohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehje të të ardhurave”.
Policia po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


