Një 34-vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pasi dyshohet se ka kryer vjedhje me thyerje në 16 lokale në kryeqytet, gjatë muajve gusht dhe shtator 2026.
I arrestuari, me inicialet E. Gj., dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe produkte në biznese të ndryshme në territorin e disa komisariateve të Policisë së Tiranës.
Sipas hetimeve, 8 prej rasteve janë evidentuar në territorin e Komisariatit Nr. 2, 4 në territorin e Komisariatit Nr. 3, ndërsa nga 2 raste në juridiksionin e Komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 4.
Një tjetër detaj i bërë publik nga Policia është se 34-vjeçari ishte më herët me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja”.
Operacioni policor është koduar “Broken Door”, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar nëse 34-vjeçari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Broken Door”.
Arrestohet nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i vjedhjeve me thyerje, në 16 lokale në kryeqytet, gjatë muajve gusht dhe shtator.
I arrestuari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve nga administratorë lokalesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, për vjedhje me thyerje në subjekte, të produkteve dhe shuma të parave, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3 dhe Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Broken Door”, gjatë të cilit u ndalua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i dyshuar i 16 prej këtyre rasteve, shtetasi E. Gj., 34 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se i ndaluari, gjatë periudhës gusht-shtator 2026, ka vjedhur me thyerje, shuma parash dhe produkte, në 8 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2, në 4 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 3, në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 1 dhe në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 4.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimtarinë kriminale të shtetasit E. Gj., në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”


