Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen nr. 1 të Sarandës ka përfunduar me plagosjen e dy vëllezërve me mjete prerëse. Ngjarja është regjistruar rreth orës 22:35, ndërsa policia ka ndërhyrë menjëherë për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 22 vjeç, dhe A. S., 19 vjeç. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi E. B., 19 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e tij.
Sipas policisë, tre të rinjtë dyshohet se janë konfliktuar me dy vëllezër, për motive të dobëta. Gjatë konfliktit, M. Sh., 20 vjeç, dhe E. Sh., 25 vjeç, janë goditur me mjete prerëse dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë organizuan menjëherë punën për identifikimin e autorëve të dyshuar. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i dy prej tyre, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e personit të tretë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.


