Një ngjarje me armë zjarri është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në qytetin e Durrësit, ku një 52-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, në një lokal në shëtitoren “Taulantia”, në lagjen Nr. 1 të Durrësit. Sipas informacioneve paraprake të Policisë, 61-vjeçari Fatmir Ferhati dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në dorë 52-vjeçarin Elton Shllaku, me profesion avokat.
I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në disa zona, ndërsa vijon kërkimi për kapjen e autorit të dyshuar.
Rrethanat dhe motivet e konfliktit mbeten ende për t’u sqaruar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në lagjen Nr. 1, Durrës, shtetasi F. F., 61 vjeç, banues në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në dorë shtetasin E. Sh., 52 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


