Gjykata e Lartë ka kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar procedura parlamentare për projektligjin që prek pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve, duke i kërkuar Kuvendit që të mos e kalojë atë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.
Në një deklaratë publike, Gjykata e Lartë shpreh shqetësimin për mënyrën e zhvillimit të konsultimit institucional nga Komisioni për Çështjet Ligjore. Sipas saj, përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara për t’u paraqitur në Komision, ndërsa gjatë konsultimit nuk iu vunë në dispozicion të gjitha amendamentet që kishin ndryshuar përmbajtjen e projektligjit.
Gjykata thekson gjithashtu se nuk ka pasur informacion të plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë dhe vlerëson se konsultimi institucional nuk mund të jetë thjesht formal. Sipas saj, qëndrimet e gjyqësorit duhet të shqyrtohen realisht përpara se një nismë ligjore të dërgohet për miratim në seancë plenare.
Në qendër të kundërshtimeve janë çështje që lidhen me pagën referuese të magjistratëve, koeficientin 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës, pagat e prapambetura, hierarkinë e pagave në sistemin gjyqësor dhe zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. Projektligji ishte miratuar një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro dhe 3 kundër.
Gjykata e Lartë argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të respektohen vetëm përmes referimit formal ndaj numrit të tyre, por duhet të zbatohet edhe përmbajtja dhe arsyetimi kushtetues i tyre.
Sipas Gjykatës, ndryshimet e reja të përfshira në projektligj dhe mënyra e ndjekjes së procedurës krijojnë shqetësime që kërkojnë sqarim dhe një konsultim të plotë institucional.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit që, përpara çdo procedure të mëtejshme, të sqarojë mënyrën dhe kohën e depozitimit të amendamenteve, si dhe arsyen pse ato nuk iu vunë në dispozicion gjyqësorit gjatë konsultimit.
Gjithashtu, kërkohet që të bëhet publik mendimi i Këshillit të Ministrave mbi efektet financiare të projektligjit, të verifikohet respektimi i procedurave dhe afateve parlamentare dhe t’i jepet gjyqësorit mundësia reale për t’u shprehur mbi variantin përfundimtar që synohet të votohet.
Në fund, Gjykata kërkon që projektligji të rivlerësohet në tërësi në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimet e paraqitura nga përfaqësuesit e gjyqësorit.
“Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.
Institucioni thekson se qëndrimi i tij nuk lidhet me kërkimin e një epërsie ndaj Kuvendit, por me respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, ku secili pushtet ka kompetenca, kufij dhe i nënshtrohet kontrollit kushtetues.


