Tag: Brazili

  • Gjykata Supreme e Brazilit miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë

    Gjykata Supreme e Brazilit miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë

    Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë, ku 39-vjeçari pritet të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

    Vendimi është marrë unanimisht nga trupi i parë i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, pas shqyrtimit të kërkesës gjatë një seance virtuale të zhvilluar në periudhën 14–21 gusht 2026.

    Sipas vendimit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesa për ekstradim plotëson kushtet ligjore të parashikuara nga legjislacioni brazilian.

    Gjykata braziliane ka vlerësuar gjithashtu se veprat penale për të cilat kërkohet Mata përmbushin kriterin e dënueshmërisë së dyfishtë, duke i konsideruar ato të korrespondueshme edhe me veprat e parashikuara nga ligji brazilian për trafikimin ndërkombëtar të drogës.

    Arrestimi në Brazil

    Ervin Mata u arrestua në prill të këtij viti në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo-s, gjatë një operacioni të autoriteteve braziliane.

    Sipas të dhënave të bëra publike, Mata po qëndronte në një zonë turistike dhe ishte nën vëzhgim të autoriteteve, të cilat kishin marrë informacion se ai po lëvizte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia braziliane dyshohet se identifikoi edhe përdorimin e rrugëve alternative, përfshirë lëvizjen me det drejt Ilhabelës.

    Mata ishte në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohej jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga autoritetet gjermane.

    Dyshohet për trafikimin e 240 kg kokainë

    Autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte lëshuar edhe urdhri i arrestimit me qëllim ekstradimin.

    Ai dyshohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

    Sipas hetimeve, Mata dyshohet se ka pasur rol në koordinimin e trafikimit të 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit në vitin 2020.

    Me vendimin e Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, autoritetet shqiptare tashmë kanë marrë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të tij në Shqipëri. Zbatimi përfundimtar i ekstradimit do të vijojë sipas procedurave përkatëse të autoriteteve braziliane.

  • Kapen 41 kg kokainë në Portin e Durrësit, droga fshihej në kontejnerin me mish pule nga Brazili

    Kapen 41 kg kokainë në Portin e Durrësit, droga fshihej në kontejnerin me mish pule nga Brazili

    Një sasi prej mbi 41 kilogramësh kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë një operacioni të Policisë, ndërsa lënda narkotike dyshohet se ishte futur në një kontejner që transportonte mish pule nga Brazili.

    Bëhet fjalë për 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në rreth 2 milionë euro në treg.

    Lënda narkotike ishte ndarë në 37 paketime dhe ishte fshehur në kapakët e jashtëm të kontejnerit, duke u zbuluar gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga shërbimet policore.

    Operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit të koduar “Anchor 3”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e trafikimit, origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe për identifikimin e personave të përfshirë.

    Njoftimi i Policisë:

    Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.

    Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

    Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.

    Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

    Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.

    Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

  • Pas 20 vitesh, Shqipëria ndërpret importin e mishit nga Brazili

    Pas 20 vitesh, Shqipëria ndërpret importin e mishit nga Brazili

    Nga 3 shtatori 2026, Shqipëria do të ndërpresë importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve të miratuara në nivel të Bashkimit Evropian.

    Ministria e Bujqësisë ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për masat që duhet të ndërmerren dhe i ka kërkuar këtij institucioni të informojë operatorët ekonomikë që importojnë produkte të mishit nga Brazili.

    Sipas shkresës së Ministrisë, vendimi lidhet me ndryshimet e sjella përmes Rregullores Zbatuese të Komisionit Evropian të vitit 2026. Për sa kohë që urdhri shqiptar për importin e produkteve me origjinë shtazore e kushtëzon importin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, këto ndryshime reflektohen drejtpërdrejt edhe në zbatimin e tij në Shqipëri.

    Ministria i kërkon AKU-së të marrë masat e nevojshme për njoftimin e bizneseve që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili, ndërsa zbatimi i masave nis më 3 shtator.

    Brazili ka qenë prej vitesh një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar me mish viçi, derri dhe pule, ndërsa produktet e importuara nga ky shtet kanë pasur një rol të rëndësishëm edhe në industrinë e përpunimit të mishit.

    Sipas të dhënave të WITS të Bankës Botërore, gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili rreth 28.5 milionë dollarë produkte mishi dhe të brendshme. Rreth 10.1 milionë dollarë e kësaj vlere i përkisnin mishit dhe produkteve të kategorisë së shpendëve.

    Ndërprerja e importit pritet të sjellë nevojën për gjetjen e tregjeve të reja të furnizimit, me një vëmendje të shtuar jo vetëm te çmimi dhe sasia, por edhe te standardet e sigurisë ushqimore.

  • Botërori 2026- Haaland dërgon Norvegjinë në çerekfinale

    Botërori 2026- Haaland dërgon Norvegjinë në çerekfinale

    Norvegjia ka siguruar një vend në fazën çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Bregun e Fildishtë në një ndeshje të luftuar deri në minutat e fundit.

    Skandinavët kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë falë Antonio Nusa, i cili realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij para pushimit.

    Në pjesën e dytë, Bregu i Fildishtë reagoi dhe barazoi me një supergol të Amad Diallo, i cili depërtoi mes mbrojtjes norvegjeze dhe mposhti portierin me një finalizim spektakolar.

    Megjithatë, kur ndeshja dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Erling Haaland u gjend në vendin e duhur dhe shtyu topin në rrjetë pas një pasimi të Patrick Berg, duke i dhënë Norvegjisë golin e fitores dhe kualifikimin.

    Në çerekfinale, Norvegjia do të përballet me Brazilin, ndërsa Bregu i Fildishtë largohet nga Botërori pas një paraqitjeje dinjitoze dhe historike.

  • Botërori 2026- Brazili, Maroku, Meksika dhe Afrika e Jugut sigurojnë fazën tjetër

    Botërori 2026- Brazili, Maroku, Meksika dhe Afrika e Jugut sigurojnë fazën tjetër

    Brazili siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt pas fitores bindëse 3-0 ndaj Skocisë në Grupin C. Vinícius Júnior ishte protagonisti absolut me dy gola, ndërsa Cunha vulosi suksesin e “Seleçaos”, që vazhdon rrugëtimin drejt trofeut botëror.

    Në ndeshjen tjetër të grupit, Maroku përmbysi Haitin me rezultatin 4-2 në një sfidë spektakolare. Achraf Hakimi dhe Soufiane Rahimi udhëhoqën afrikanët drejt fitores, duke siguruar vendin e dytë dhe kualifikimin në fazën e 32 skuadrave më të mira.

    Në Grupin A, Meksika mbylli me pikë të plota fazën e grupeve pas suksesit 3-0 ndaj Republikës Çeke. Vendasit dominuan takimin dhe konfirmuan statusin e tyre si një nga skuadrat më në formë të këtij Botërori.

    Ndërkohë, Afrika e Jugut shkroi histori duke u kualifikuar për herë të parë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Fitorja 1-0 ndaj Koresë së Jugut falë golit të Thapelo Maseko i siguroi “Bafana Bafana” vendin e dytë në grup dhe një biletë historike për raundin tjetër.

  • Botërori 2026-Fitore të rëndësishme për Brazilin dhe Marokun

    Botërori 2026-Fitore të rëndësishme për Brazilin dhe Marokun

    Ndeshjet e radhës në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 kanë sjellë emocione dhe rezultate të rëndësishme në garën për kualifikim.

    Paraguai arriti një fitore të vyer 1-0 ndaj Turqisë në Grupin D. Goli i vetëm i takimit u shënua që në minutën e dytë nga Matías Galarza, duke i dhënë avantazhin e hershëm amerikanolatinëve. Edhe pse luajti të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Miguel Almirón, Paraguai rezistoi deri në fund dhe siguroi tre pikë të arta. Me këtë humbje, Turqia eliminohet nga Botërori pas dy humbjeve radhazi.

    Në Grupin C, Brazili reagoi pas barazimit në ndeshjen e parë dhe mposhti bindshëm Haitin me rezultatin 3-0. Matheus Cunha ishte protagonisti kryesor me dy gola, ndërsa Vinícius Júnior vulosi suksesin e “Seleçaos” para pushimit. Fitorja e ngjit Brazilin në krye të grupit dhe e lë Haitin pa shanse për kualifikim.

    Ndërkohë, Maroku vazhdon formën e shkëlqyer duke triumfuar 1-0 ndaj Skocisë. Golin vendimtar e realizoi Ismaël Saibari që në minutat e para të sfidës. Përfaqësuesja afrikane dominoi pjesën më të madhe të takimit dhe siguroi një tjetër fitore të rëndësishme që e afron ndjeshëm me fazën me eliminim direkt.

    Pas këtyre rezultateve, Brazili dhe Maroku hedhin hapa të rëndësishëm drejt fazës tjetër, ndërsa Paraguai mban gjallë shpresat për kualifikim. Në krahun tjetër, Turqia dhe Haiti i japin lamtumirën garës për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.

  • Nga 32 në 48 skuadra, çfarë ndryshon në garën për Kupën e Botës?

    Nga 32 në 48 skuadra, çfarë ndryshon në garën për Kupën e Botës?

    Botërori 2026 do të zhvillohet për herë të parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse, një format që pritet të ndryshojë ndjeshëm dinamikën e fazës së grupeve.

    Me zgjerimin e turneut, jo vetëm dy skuadrat e para të çdo grupi do të sigurojnë kalimin më tej, por edhe tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë. Kjo rrit ndjeshëm shanset për kualifikim dhe i jep peshë të veçantë çdo ndeshjeje në grup.

    Ekspertët e futbollit presin që kombëtaret favorite si Spanja, Franca, Brazili, Anglia, Argjentina dhe Gjermania të kalojnë pa shumë vështirësi fazën e parë dhe të synojnë fazat vendimtare të turneut.

    Në këtë format të ri, ekipet e mëdha pritet të grumbullojnë pikë të rëndësishme që në ndeshjet e para, ndërsa rivaliteti më i fortë mund të zhvillohet mes skuadrave që luftojnë për vendet e treta kualifikuese.

    Botërori që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë premton më shumë ndeshje, më shumë emocione dhe një garë më të hapur për ekipet që synojnë të shkruajnë histori në arenën më të madhe të futbollit botëror.

    Meksika dhe Afrika e Jugut do të hapin siparin e Botërorit 2026 më 11 qershor në orën 21:00, në një ndeshje që do të zhvillohet në Mexico City Stadium..