Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë, ku 39-vjeçari pritet të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Vendimi është marrë unanimisht nga trupi i parë i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, pas shqyrtimit të kërkesës gjatë një seance virtuale të zhvilluar në periudhën 14–21 gusht 2026.
Sipas vendimit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesa për ekstradim plotëson kushtet ligjore të parashikuara nga legjislacioni brazilian.
Gjykata braziliane ka vlerësuar gjithashtu se veprat penale për të cilat kërkohet Mata përmbushin kriterin e dënueshmërisë së dyfishtë, duke i konsideruar ato të korrespondueshme edhe me veprat e parashikuara nga ligji brazilian për trafikimin ndërkombëtar të drogës.
Arrestimi në Brazil
Ervin Mata u arrestua në prill të këtij viti në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo-s, gjatë një operacioni të autoriteteve braziliane.
Sipas të dhënave të bëra publike, Mata po qëndronte në një zonë turistike dhe ishte nën vëzhgim të autoriteteve, të cilat kishin marrë informacion se ai po lëvizte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia braziliane dyshohet se identifikoi edhe përdorimin e rrugëve alternative, përfshirë lëvizjen me det drejt Ilhabelës.
Mata ishte në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohej jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga autoritetet gjermane.
Dyshohet për trafikimin e 240 kg kokainë
Autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte lëshuar edhe urdhri i arrestimit me qëllim ekstradimin.
Ai dyshohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Sipas hetimeve, Mata dyshohet se ka pasur rol në koordinimin e trafikimit të 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit në vitin 2020.
Me vendimin e Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, autoritetet shqiptare tashmë kanë marrë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të tij në Shqipëri. Zbatimi përfundimtar i ekstradimit do të vijojë sipas procedurave përkatëse të autoriteteve braziliane.


