Ka nisur në Dhomat e Specializuara në Hagë seanca publike për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca është caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00, dhe po transmetohet publikisht në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.
Trupi gjykues do ta shpallë vendimin për secilin prej të akuzuarve, ndërsa çështja përfshin gjithsej 10 pika të aktakuzës. Gjashtë prej tyre lidhen me krime kundër njerëzimit, ndërsa katër me krime lufte.
Në aktakuzë përfshihen akuza për përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar dhe trajtim mizor. Akuzat lidhen me ngjarje të periudhës nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa zona të Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë së Veriut.
Katër të akuzuarit u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020. Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave përfundoi më 18 dhjetor 2025. Në proces dëshmuan gjithsej 134 persona dhe deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt 2026.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar akuzat ndaj tyre. Vendimi i sotëm do të përcaktojë qëndrimin e Trupit Gjykues lidhur me përgjegjësinë penale për akuzat e ngritura në këtë çështje.
Seanca po ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë, ndërsa qytetarë janë mbledhur edhe jashtë ambienteve të gjykatës në Hagë.



