Tag: bashkia Maliq

  • Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Maliq/ I moshuari me shkop në dorë kundërshton mbylljen e mbledhjes

    Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Maliq/ I moshuari me shkop në dorë kundërshton mbylljen e mbledhjes

    Tensione dhe debate janë shënuar këtë të enjte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e cila ishte thirrur jashtë radhe për të diskutuar mbi Reformën Territoriale.

    Mbledhja zgjati rreth 20 minuta dhe në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Maliq, që do t’i përcillej Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

    Sipas raportimeve, këshilltarët e majtë deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në vendimmarrje lidhur me propozimin që pritej t’i dërgohej Parlamentit.

    Pas këtij qëndrimi, kryetari i Këshillit Bashkiak njoftoi mbylljen e mbledhjes, vendim që shkaktoi reagime dhe debate nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm.

    Situata u tensionua edhe më tej kur një i moshuar hyri në sallë me një shkop në dorë dhe nisi të debatonte me kryetarin e Këshillit Bashkiak, duke kundërshtuar mbylljen e mbledhjes.

    Debatet dhe përplasjet në sallë lidhen me qëndrimet e ndryshme për procesin e rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale dhe mënyrën se si Këshilli Bashkiak i Maliqit duhet të shprehë qëndrimin e tij zyrtar.

  • Debat për ndarjen e re territoriale në Korçë, banorët kundër shkrirjes së bashkive

    Debat për ndarjen e re territoriale në Korçë, banorët kundër shkrirjes së bashkive

    Debate dhe kundërshti kanë shoqëruar takimin e zhvilluar në Korçë për hartimin e ndarjes së re territoriale. Banorë dhe përfaqësues lokalë kanë kërkuar që asnjë nga bashkitë e qarkut të mos shkrihet, duke argumentuar se një vendim i tillë do të dëmtonte shërbimet për qytetarët.

    Pjesëmarrësit theksuan se bashkitë e Korçës, Maliqit, Pogradecit, Devollit, Kolonjës dhe Pustecit duhet të ruajnë statusin aktual. Sipas tyre, bashkimi i njësive vendore do të vështirësonte aksesin e banorëve në shërbimet publike dhe do të krijonte probleme për komunitetet.

    Gjatë takimit u sollën edhe shembuj nga reforma territoriale e vitit 2014, ku banorë të Kolonjës e cilësuan të padrejtë bashkimin e Leskovikut me Ersekën, duke theksuar se kjo ndikoi negativisht në marrjen e shërbimeve.

    Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues politikë. Arbër Mazniku e cilësoi normal zhvillimin e protestave në një vend demokratik, ndërsa Luçiano Boçi deklaroi se nuk mund të diskutohet për një reformë të re administrative në një kohë kur, sipas tij, qytetarët po protestojnë në rrugë.