Roberto Mancini është pranë rikthimit në stolin e Kombëtares së Italisë. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, ka bërë të ditur se 61-vjeçari pritet të emërohet trajneri i ri i “Azzurrëve”, ndërsa mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes.
“Po flas me Mancinin sepse ai është trajneri i ri. Po presim që të firmosë”, deklaroi Malago pas mbledhjes së bordit të FIGC.
Mancini do të rikthehej për herë të dytë në drejtimin e Kombëtares italiane, pasi më herët udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Kampionatin Europian të vitit 2021, duke i dhuruar Italisë trofeun kontinental pas më shumë se gjysmë shekulli.

Ai u largua nga posti në vitin 2023, në rrethana të debatueshme, përpara se të merrte drejtimin e Arabisë Saudite. Pas një periudhe në Lindjen e Mesme dhe një aventure të fundit te Al Sadd në Katar, Mancini tashmë është pranë rikthimit në futbollin italian.
Emërimi i tij vjen pas një periudhe të tensionuar për FIGC-në. Andrea Pirlo, i cili ishte një nga kandidatët për postin, nuk mori miratimin e duhur, ndërsa Paolo Maldini dhe Leonardo Araujo u larguan nga strukturat drejtuese të federatës pas vetëm 17 ditësh në detyrë.
Mancini ka qenë prej kohësh një nga kandidatët e preferuar të presidentit Malago. Në garë për stolin e Italisë ishte edhe Antonio Conte, ndërsa ish-trajneri Fabio Capello ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për një tjetër zgjedhje.
Nëse marrëveshja finalizohet, Mancini do të nisë mandatin e tij të dytë me objektivin për të rikthyer Italinë në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.


