Një aksident i rëndë është shënuar ditën e sotme në Portin e Durrësit, në zonën e Skanerit, ku një 62-vjeçar është përplasur nga një kamion.
Fillimisht, policia bëri me dije se i aksidentuari kishte pësuar dëmtime të lehta, por gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar më vonë. Pavarësisht ndihmës mjekësore, 62-vjeçari ka ndërruar jetë në spital disa orë pas aksidentit.
Viktima është identifikuar si Nexhmi Shabani, 62 vjeç, banues në Kosovë, i cili, sipas të dhënave paraprake, ishte shofer kamioni.
Aksidenti ka ndodhur te zona e Skanerit, ndërsa kamioni që përplasi 62-vjeçarin drejtohej nga Nikolin Merdari, 49 vjeç, banues në Berat.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa pritet të përcaktohen edhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.


