Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një skemë mashtrimi që synon marrjen e kontrollit të llogarive të tyre në WhatsApp.
Sipas autoriteteve, mashtruesit po dërgojnë mesazhe me linke të dyshimta, duke përdorur justifikime të ndryshme, si kërkesa për të votuar në një konkurs apo për të konfirmuar një veprim.
Pasi përdoruesi klikon në link, atij i kërkohet të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod më pas përdoret nga autorët për ta regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në linke të dyshimta, edhe nëse mesazhi vjen nga një person i njohur. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp.


Një tjetër masë e rekomanduar nga autoritetet është aktivizimi i funksionit “Two-Step Verification” (Verifikimi me dy hapa), i cili ofron një shtresë shtesë sigurie për llogarinë.
Policia këshillon:
- Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur.
- Mos ndani kurrë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp me askënd.
- Aktivizoni funksionin “Two-Step Verification”.
- Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar.
- Njoftoni kontaktet tuaja në rast se llogaria është marrë nën kontroll, për të shmangur mashtrime të tjera.
Policia e Shtetit apelon qytetarët që të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve dhe kërkesave të dyshimta në internet dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.


