Një aksident tragjik ujor ka ndodhur këtë të enjte në zonën mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, ku një 24-vjeçar ka humbur jetën pasi u dëmtua rëndë nga helika e një gomoneje.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:15, në një zonë lundrimi në det. I riu, i identifikuar si Klaus Gjergji, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga gomonia, në të cilën ndodheshin edhe dy persona të tjerë.
Gjatë rënies në ujë, 24-vjeçari është dëmtuar rëndë nga helika e motorit të gomones.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen dhe transportimin e të riut për ndihmë mjekësore.
Fillimisht ai është transportuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe më pas me autoambulancë drejt spitalit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 24-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit tragjik.


