Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të mërkurë Postribën e Shkodrës, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj, përkatësisht një dhe tre vjeç, humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e familjes në fshatin Domen.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 13:10, ndërsa nëna e re ndodhej brenda banesës së bashku me dy fëmijët. Pavarësisht ndërhyrjes, tre viktimat nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi që ndodhej në banesën e vjetër të familjes Çela. Në vendin e ngjarjes është gjetur gjithashtu edhe një shishe me benzinë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë.
Familja Çela jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur në Shkodër për pushime. Sipas raportimeve, ata kishin shkuar në fshatin Domen, në banesën e vjetër të familjes, me qëllim kryerjen e disa punimeve dhe riparimin e shtëpisë.
Një ditë që duhej të ishte e zakonshme për familjen, u kthye në një tragjedi të rëndë, duke lënë pas dhimbje të madhe për të afërmit dhe banorët e zonës.


