Tubimi i përditshëm në kryeqytet ka hyrë në ditën e 34-të, ndërsa qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku po mbahen fjalime nga organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Një nga nismëtarët e protestës, Arben Kola, iu drejtua pjesëmarrësve me një apel për të shmangur çdo përplasje me gazetarët dhe operatorët e mediave.
“Mos prekni gazetarët dhe operatorët. Ata janë këtu për të bërë punën e tyre. Protesta duhet të mbetet paqësore,” u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Protestuesit vijuan marshimin duke brohoritur slogane dhe duke kërkuar lirimin e të arrestuarve pas përplasjeve të dhunshme të regjistruara një ditë më parë përpara Kuvendit.
Situata gjatë tubimit paraqitet e qetë, ndërsa forca të shumta policie janë vendosur në pikat kryesore për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e protestës.


