Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 23-të radhazi, ndërsa qindra qytetarë u mblodhën këtë të hënë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar tubimet e përditshme përpara Kryeministrisë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së qeverisë, duke përsëritur thirrjet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike në vend.
Gjatë protestës, organizatorët prezantuan për herë të parë pesë kërkesat zyrtare që, sipas tyre, përfaqësojnë objektivat kryesore të lëvizjes qytetare. Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të kishte për detyrë organizimin e proceseve të reja demokratike në vend.
Një tjetër kërkesë lidhet me ndryshime kushtetuese dhe ligjore, përfshirë reformimin e Kodit Zgjedhor, financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Organizatorët kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tyre, prekin mjedisin dhe interesin publik, përfshirë ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, Trashëgiminë Kulturore, Paketën e Maleve dhe Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përgatitet me kontributin e ekspertëve, intelektualëve dhe qytetarëve të angazhuar në protestë.
Pas leximit të kërkesave, protestuesit vijuan marshimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në realizimin e objektivave të shpallura.
Ndërkohë, protesta ka ngjallur reagime politike, ku përfaqësues të Partisë Socialiste kanë ironizuar kërkesat e organizatorëve, duke i cilësuar ato si qëndrime të frymëzuara nga interesa të huaja politike.


