Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit, pasi dyshohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi financiar duke shfrytëzuar besimin e qytetarëve, veçanërisht të familjeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara intelektuale.
Bëhet fjalë për Adi Hodo dhe Paola Zyber, të cilët u arrestuan në Tiranë për llogari të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Sipas hetimeve paraprake, ata prezantoheshin si përfaqësues të një organizate bamirësie dhe u premtonin qytetarëve ndihma ekonomike apo mbështetje sociale.
Pasi fitonin besimin e tyre, të dyshuarit siguronin kopje ose fotografi të kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera personale. Më pas, sipas policisë, këto të dhëna përdoreshin pa dijeninë e qytetarëve për të aplikuar kredi online pranë institucioneve të mikrokredisë.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në disa raste janë përfituar kredi në emër të personave të mashtruar, të cilët nuk kishin dijeni se mbi identitetin e tyre ishin krijuar detyrime financiare. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu rolin e një institucioni mikrokredie që dyshohet se është përdorur në këtë skemë.
Autoritetet po punojnë për të identifikuar numrin e plotë të viktimave dhe për të llogaritur dëmin ekonomik të shkaktuar nga kjo veprimtari e dyshuar kriminale.
Ndërkohë, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes me dokumentet personale, të mos ua dorëzojnë personave të panjohur dhe të denoncojnë menjëherë çdo rast kur dyshojnë se të dhënat e tyre janë përdorur në mënyrë të paligjshme.


