Një operacion shpëtimi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në brigjet e Vlorës, ku 11 emigrantë të paligjshëm u nxorën në breg nga Policia Kufitare pasi mjeti i tyre lundrues rrezikonte të fundosej.
Sipas autoriteteve, sinjalizimi u mor për një mjet lundrues që ndodhej rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë. Menjëherë në zonë u nisën dy mjete lundruese të Policisë Kufitare, të cilat lokalizuan gomonen dhe bënë të mundur shpëtimin e të gjithë personave në bord.
Emigrantët janë shtetas të Bangladeshit (5), Pakistanit (3), Haitit (1), Afganistanit (1) dhe Liberisë (1). Pas operacionit ata u transportuan në tokë dhe u dërguan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat ligjore.
Sipas dëshmive të tyre, emigrantët kishin kaluar një kohë të gjatë në det dhe, menjëherë pas mbërritjes, iu ofrua ujë dhe ushqim nga efektivët e Policisë Kufitare.
Burime nga policia bëjnë me dije se 11 personat udhëtonin me një mjet lundrues rreth 2.5 metra të gjatë, i përshtatshëm vetëm për një ose dy persona. Për shkak të mbingarkesës dhe përkeqësimit të kushteve të detit, jeta e tyre ishte në rrezik serioz.
Nga deklarimet paraprake, emigrantët kanë pohuar se destinacioni i tyre ishte Italia, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit dhe për të identifikuar personat që mund të kenë organizuar këtë tentativë të kalimit të paligjshëm.


