Një ngjarje që mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike është shmangur për mrekulli në rrugën drejt Thethit, ku një gur i madh u shkëput nga mali dhe ra mbi një automjet me turistë.
Sipas informacioneve paraprake, shkëmbi goditi fillimisht pjesën e sipërme të automjetit, por për shkak të peshës së madhe depërtoi në kabinë, duke përfunduar mes sediljes së shoferit dhe asaj të pasagjerit të parë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëme të konsiderueshme në automjet, ndërsa fakti që asnjë prej personave që ndodheshin brenda nuk u lëndua konsiderohet një mrekulli.
Fatmirësisht, të gjithë turistët kanë dalë të padëmtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun e rënies së gurëve në segmentet malore, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke shtuar nevojën për kujdes maksimal gjatë lëvizjes në këto akse.


