Një oficer i Policisë së Shtetit është dhunuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Sarandës, ndërsa autoritetet kanë nisur një operacion për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku oficeri i krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, Mihal Velço, dyshohet se është konfliktuar me disa persona.
Sipas informacioneve paraprake, efektivi ka qenë duke lëvizur me motor kur fillimisht është fyer dhe kanosur nga një grup personash. Më pas ai ka zbritur nga motori dhe konflikti ka degraduar në përplasje fizike.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të organizuar ndaj efektivit.
Pas ngjarjes, forca të shumta policie zhvilluan kontrolle në banesa, lokale dhe ambiente publike në qytetin e Sarandës. Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë autorët e dyshuar të ngjarjes.


