Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të premteje në Tiranë, duke shkaktuar alarm te drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë në një automjet pranë rrugës që lidh rrethrrotullimin e Saukut me Unazën e Re. Pamjet nga vendngjarja tregojnë mjetin tërësisht të përfshirë nga flakët.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve dhe sigurimin e zonës.
Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e automjetit nga zjarri.
Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.


