Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një 18-vjeçar dyshohet se ka plagosur me thikë një 32-vjeçar.
Sipas Policisë, autori i dyshuar, A. F., 18 vjeç, në bashkëpunim me babanë e tij, A. M., 53 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, Policia organizoi kontrolle intensive dhe bëri të mundur arrestimin e 18-vjeçarit dhe të babait të tij. Të dy akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, ndërsa 18-vjeçari akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armës së ftohtë dhe prishje të qetësisë publike.
Ndërkohë, situata u tensionua edhe më tej pasi vëllai i 32-vjeçarit të plagosur, A. K., 41 vjeç, sapo mori dijeni për ngjarjen, dyshohet se u nis i armatosur për të vrarë autorin e dyshuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, ai u arrestua në flagrancë dhe arma e zjarrit u sekuestrua, duke parandaluar një ngjarje edhe më të rëndë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të konfliktit.



