Një incident i rëndë është regjistruar në sallën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku disa të pandehur janë konfliktuar fizikisht brenda kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.
Sipas raportimeve nga gazetarët, situata ka dalë jashtë kontrollit për disa momente, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të sigurisë së gjykatës dhe të burgjeve për të neutralizuar përplasjen.
Të përfshirë në konflikt janë identifikuar të pandehurit Fation Bushgjokaj, Aleksandër Bushgjokaj, Kristi Bushgjokaj dhe Petrit Hoxha, të cilët po gjykohen për vrasjen e Renis Dobrës, një çështje e rëndë që është në kompetencë të SPAK.
Në sallë ndodheshin edhe gjyqtari i çështjes dhe prokurorja e posaçme, ndërsa tensionet brenda kafazit të xhamit kanë shkaktuar panik dhe ndërprerje të përkohshme të qetësisë së seancës.
Autoritetet pritet të sqarojnë më tej rrethanat e incidentit dhe nëse do të ketë masa shtesë sigurie për vijimin e procesit gjyqësor.


